Kapacitetet e dhjetë komunave të reja do të përmirësohen përmes programit "Fuqizimi i këshillave komunale

March 17, 2023

 

Janë përzgjedhur 10 komuna të reja, të cilat në 18 muajt e ardhshëm do të jenë pjesë e programit "Fuqizimi i këshillave komunale". Bëhet fjalë për komunat Kisella Vodë, Studeniçan, Gradsko, Karbinci, Vinicë, Dibër, Mavrovë dhe Rostushë, Gjevgjeli, Resnjë dhe Rankovcë, të cilat u përzgjodhën përmes thirrjes publike për të cilën aplikuan gjithsej 28 njësi të vetëqeverisjes lokale.

Programi "Fuqizimi i këshillave komunale" fokusohet në disa komponentë përmes të cilëve përmirësohen kapacitetet e komunave për ofrim transparent, të përgjegjshëm dhe cilësor të shërbimeve lokale për qytetarët. Këshilltarët në komunat e përzgjedhura do të kenë mundësinë të marrin pjesë në Programin për zhvillimin e kapacitetit të këshilltarëve komunal, i cili përfshin trajnime në gjithsej 11 tema që kanë të bëjnë me menaxhimin e financave publike, planifikimin hapësinor dhe urban, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit, bashkëpunimi ndërkomunal, barazinë gjinore, mjedisin jetësor dhe përballjen me krizat në nivel lokal.

Gjithashtu, secila nga dhjetë komunat do të ketë mundësinë të shfrytëzojë një grant në vlerë prej 30,000 deri në 50,000 dollarë për projektet që do të përzgjidhen përmes konsultimit të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes Forumeve në bashkësi. Këto projekte, në të cilat do të marrin pjesë me bashkëfinancim edhe komunat, kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetin lokal.

Forum në bashkësi në komunën e Karposhit

Secila prej dhjetë komunave do të marrë mbështetje financiare në shumën prej 10.000 deri në 12.000 dollarë të destinuara për futjen e mjeteve digjitale për përmirësimin e llogaridhënies, transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në punën e këshillave komunale.

Ky është grupi i dytë prej 10 komunash që do të marrin pjesë në fazën e dytë të “Fuqizimi i këshillave komunale” dhe në dy vitet e ardhshme do të përfshihen edhe 20 komuna të tjera.

"Fuqizimi i këshillave komunale - Faza 2" është program me vlerë totale prej 6.6 milionë dollarë, i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, të cilin e bashkëfinancon dhe e realizon Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me partnerët kombëtarë dhe lokalë.

Në fazën e parë të programit, që u realizua në periudhën 2016-2022, u përfshinë gjithsej 24 komuna. Përveç realizimit të suksesshëm dhe mbështetjes që e morën komunat, mjetet inovative për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të krijuara në kuadër të programit fituan çmimin e tretë në nivel evropian në Samitin Global të Partneritetit për Qeverisje të Hapur të mbajtur në Seul, Republika e Koresë në dhjetor 2021.

Shpallja është e disponueshme edhe në gjuhën maqedonase.